Siguria Gjatë Përdorimit të Internetit

Si të mbroni kompjuterin tuaj:

  • Lexoni me kujdes politikat e privatësisë për faqet e Internetit të cilat i përdorni
  • Mbajini të gjitha programet kompjuterike (duke përfshirë edhe browser-in tuaj) në përditësim automatik
  • Keshillohet të mos ruhen në browser username dhe password të adresave tuaja email apo kredenciale logimi në sisteme të ndryshme
  • Përdorni programe kompjuterike si firewall, antivirus, antispam, antispyware, apo software të tjera për mbrojtjen e lundrimit tuaj në rrjet
  • Vendosni fjalëkalime me karaktere dhe shkronja të veçanta për të mbrojtur lidhjen tuaj wireless në shtëpi
  • Instaloni update (përditësimet) e sistemit operativ Windows të quajtur 'Windows Update' i cili është një shërbim që ofron Microsoft
  • Vizitoni Windows Update në faqen www.microsoft.com për të përditësuar kompjuterin tuaj

Mbroni të dhënat tuaja personale:

  • Përpara se të vendosni të dhënat tuaja, shikoni për shenja të sigurisë që një Web faqe mund të ketë: https ("s" e siguruar) dhe një çelës të mbyllur afër
  • Asnjëherë mos jepni të dhënat tuaja në përgjigje të një e-maili
  • Publikoni sa më pak detaje që ju identifikojnë juve apo vendndodhjen tuaj
  • Mos publikoni online gjëra për të cilat nuk dëshironi të jenë publike

Mendoni përpara se të publikoni:

  • Mendoni përpara se të bashkëngjitni skedarë apo foto, apo të klikoni mbi një link në një e-mail
  • Në qoftë se ju nuk i njihni dërguesit, ata mund të jenë të rremë
  • Jini të kujdesshëm kur klikoni link-e të ndryshme në internet
  • Mos ndani me njerëz të panjohur e-mail adresën tuaj private dhe mbajeni për vete fjalëkalimin
  • Gjatë plotësimit të formularëve të ndryshëm plotësoni vetëm fushat e kërkuara (ato të shënuara me yll *)
  • Vertetoni se faqja e Internetit është e sigurt duke kërkuar shenja identifikuese
  • Mos publikoni identitetin tuaj kur luani lojëra online, por përdorni nofka për veten tuaj (pseudonime)

Krijoni fjalëkalim të fortë dhe mbajeni atë të fshehtë:

  • Krijoni fjalëkalim me të paktën tetë karaktere (sa më i gjatë, aq më i mirë)
  • Përfshini në të germa të mëdha dhe të vogla, numra dhe simbole
  • Mos përdorni të njëjtin fjalëkalim kudo

Mbroni veten nga mashtrimet nga e-maile të panjohura:

  • Përpara se t'i lexoni, shikoni me kujdes emërtimet/titujt e emaileve që merrni
  • Sidomos ato me tituj "fitues", mesazhet me shënime si "gabim"
  • Mesazhe me gabime gramatikore
  • Mesazhet me kërkesa për të dhënat tuaja personale, si numra llogarie, karte krediti, etj.
  • Mendoni se jo gjithmonë ajo që duket shumë e mirë, është e tillë

Përdorimi i sigurt i rrjeteve sociale:

  • Për t'u regjistruar dhe përdorur disa rrjete sociale, si "Facebook", "Twitter", "Instagram", etj, zakonisht kërkohet që mosha e personit të jetë mbi 13 vjeç
  • Shikoni për mundësinë "Rregulloni privatësinë" në rrjetet sociale, për të menaxhuar se cilët persona mund të shohin profilin tuaj
  • Kontrolloni se si njerëzit mund t'ju kërkojnë në rrjet dhe të bëjnë komente
  • Gjithashtu, mësoni se si mund të bllokoni hyrjet e padëshiruara
  • Mos postoni çdo gjë që ju mendoni
  • Përzgjidhni me kujdes pranimin e miqve të rinj, si dhe rishikoni periodikisht se çfarë miqtë publikojnë në lidhje me ju

Mbrojtja e të Dhënave Personale dhe Privatësisë

Mbrojtja e të dhënave personale garantohet me përpunimin në mënyrë të ndershme, të drejtë dhe të ligjshme të këtyre të dhënave nga kompania jonë për përmbushjen e detyrimeve kontraktuale apo ligjore të kompania jonë që rrjedhin prej Kontratës së Pajtimit nënshkruar mes palëve, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj pajtimtarëve.

Kompania jonë do të veprojë vetëm në përputhje me parimet ligjore për përpunimin e të dhënave personale, siç janë parashikuar në Ligjet nr. 9887 datë 10.03.2008 "Për Mbrojtjen e të dhënave personale", i ndryshuar dhe nr. 9918, datë 19.05.2008 "Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë" i ndryshuar, si dhe kuadrin rregullator përkatës në fuqi.

Aksesi dhe kërkesa për korrigjim dhe fshirje:

Pajtimtari ka të drejtë të kërkojë me shkrim dhe pa pagesë që të marrë nga kompania jonë:

  • Konfirmimin nëse të dhënat personale po i përpunohen ose jo, informacion për qëllimin e përpunimit, për kategoritë e të dhënave të përpunuara dhe për marrësit e kategorive e marrësve, të cilëve u përhapen të dhënat personale
  • Në një formë të kuptueshme, të dhënat personale dhe informacionin e disponueshëm për burimin e tyre
  • Në rastet e vendimeve automatike, informacion për logjikën e përfshirë në vendimmarrje

Kompania jonë brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, do të informojë pajtimtarin mbi kërkesën e tij dhe informacioni për të dhënat komunikohet në formën, në të cilën ishin në kohën kur është bërë kërkesa. Në rast se nuk i jepet informacioni, kompania jonë duhet t'i shpjegojë pajtimtarit arsyet e mosdhenies së informacionit.

Pajtimtari ka të drejtë të kërkojë me shkrim dhe pa pagesë bllokimin, korrigjimin ose fshirjen e të dhënave kur konstaton se të dhënat e tij nuk janë të rregullta, të vërteta, të plota, ose janë përpunuar dhe mbledhur në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" i ndryshuar.

Kompania jonë, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, do të informojë Pajtimtarin për përpunimin e ligjshëm të të dhënave, kryerjen ose moskryerjen e bllokimit, korrigjimit ose fshirjes të të dhënave.